BE të hënën pritet të marrë vendim për sanksione ndaj Kosovës nëse s’ka de-eskalim

Sipas burimeve, nëse s’do të ketë marrëveshje për de-eskalim të situatës në veri të Kosovës, Bashkimi Evropian pritet të marrë vendim për vendosjen e sanksioneve ndaj Kosovës të hënën.

Vendimi për sanskione pritet të merret në takimin e Këshillit për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, që do të mblidhet më 26 qershor.

Siç është konfirmuar edhe në agjendën zyrtare të këtij takimi, çështja e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë pritet të jetë temë diskutimi, raporton Gazeta Express.

Bashkimi Evropian ka disa ditë që ka propozuar planin e tyre tre pikësh, që kërkon kryerje të detyrave nga kryetarët e komunave veriore në objekte alternative, reduktim të policisë në objekte të komunave dhe gjithashtu nga Serbia heqjen dorë nga përkrahja e grupeve radikale dhe organizim të zgjedhjeve të reja.

Këtë plan tre pikësh të BE-së e përkrah edhe SHBA, duke konsideruar se është rruga më e mirë përpara. Kryeministri Kurti ka zhvilluar sot takim në Bruksel me Borrell, nuk dihet ende se cili do të jetë rezultati. Borell pritet të flasë para mediave.