Bekë Berisha-Xhelal Sveçlës: Zotëri Cfeklla, mos më shit mend këtu

Ka dështuar raportimi i ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Svecla dhe drejtorit të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti të cilët kishin për ta raportuar në Komisionin për Çështje të Sigurisë.

E gjithë kjo erdhi meqë kryetari i Komisionit, Bekë Berisha ka kundërshtuar ashpër shoqërimin e ministrit Sveçla nga drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, pasi sipas tij të dy janë thirrur për të raportuar ndaras para deputetëve.

“Pse keni ardhë bashkë, unë iu kam ftuar që të vini ndaras”, tha ai.

Ai ka kërkuar nga Sveçla që të largohet nga kjo mbledhje, pasi ky i fundit tha se ka ardhur të raportojë bashkë me ekipin e tij.

“Mos më shit mend këtu”, i tha Berisha ministrit Sveçla.

Pas kësaj u larguan edhe deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa kryetari Bekë Berisha i bëri të ditura para mediave pyetjet që kishte pasur t’ia parashtronte ministrit Sveçla.

Ata e akuzuan Berishën se po bën show medial për shkak të fushatës. Berisha në një rast i është drejtuar ministrit me “Zotëri Cfeklla”.

Pas kësaj reagoi anëtari i LVV-së në Komision, Enver Dugolli, duke thënë se Bekë Berisha po dëshiron vetëm show mediatik. Ndërkaq, Berisha reagoi ashpër ndaj Dugollit, i cili më pas edhe lëshoi sallën e Komisionit.

“Ti je ekip e jemja. Ju jeni mësuar me do vota me shpëtu këtë njeri që ka bo gabime. Unë e kam thirr drejtorin ndaras prej ministrit. Sillu si komision, pse ki frikë me marrë me pyet ministrin ndaras nga drejtori. Ky u msu si deputet mos me i respektua rregullat, ka shku i ka shkel rregullat atje na ka qit faqen e zezë, e ka kthy KFOR-in në veri, pse duhet me pas drejtorin e Policisë me veti. Hajde jashtë edhe ti”, deklaroi Berisha.

Pas këtyre zhvillimeve, kryetari i Komisionit, Bekë Berisha bëri publike pyetjet të cilat kishte planifikuar të bëjë në raportimin e Sveçlës.

Berisha fajësoi ministrin Sveçla se po e shet vendin.