Bekim Jashari rikandidon për kryetar të Skenderajt

Kryetari i komunës së Skënderajt, Bekim Jashari ka njoftuar se do të kandidojë edhe për një mandat në krye të kësaj komune.

“4 vite me parë mora një vendim jo të lehtë për mua dhe familjen time, inkuadrimi im në jetën politike në rrethanat në të cilat po kalonte shteti ynë nuk ishte i lehtë, por duke qenë pjesë e jetës në komunën tonë, duke parë problemet dhe sfidat e mëdha me të cilat po ballafaqohej komuna jonë, duke qenë i vendosur për t’i shërbyer vendit tim dhe qytetarëve pa asnjë dallim, me kërkesë të qytetarëve pranova që të kandidoj për kryetar të komunës sonë, në zgjedhjet lokale të vitit 2017”, shkruan Jashari në Facebook.

Ai përmendi që qeverisjen e tij e kishte filluar me një betim te varret e familjarëve të tij, Jasharëve, duke u betuar për ngritjen e mirëqenies së tyre.

“Qeverisjen time lokale në udhëheqje të qytetarëve të Skenderajt e fillova me betimin që bëra pranë varreve të familjarëve të mi, gjyshit, Shaban Jashari, Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jasharit, babushit Hamëzes dhe dëshmorëve të kombit në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë”.

“Pranë tyre dhashë betimin që çdo ditë, javë, muaj e vit do të angazhohem t’i shërbej secilit qytetar dhe ngritjes së mirëqenies së tyre, duke u angazhuar për një qeverisje të mirë dhe transparente”.

Ai më pas i përmendi punët e kryera gjatë katër vjetëve të tij në pushtet duke e argumentuar me to kërkesën edhe për një mandat./Fokusi.info/