Beqa: Pa votën e PDK-së Përparim Rama s’do të ishte kryetar – në Komunë do të shkonte vetëm për ndonjë dokument

Partia Demokratike e Kosovës nuk është deklaruar për shkarkimet që i janë bërë nënkryetares së Komunës së Prishtinës dhe drejtorëve të saj, nga kryetari i komunës, Përparim Rama.

Ata ende nuk kanë njoftuar se si do të veprojnë lidhur me këtë çështje.

Përgjigje për këtë nuk ka pasur as deputeti i kësaj partie, Hajdar Beqa, derisa për Gazeta Blic tha se për këtë do të flet dega e partisë.

Mirëpo, ai u shpreh se Përparim Rama s’do të mund të ishte bërë kryetar i komunës pa votën e PDK-së dhe se në komunë do të mund të shkonte vetëm për të marrë ndonjë dokument.

“Realisht, kjo çështje është e nivelit të degës së PDK-së. Një e di, që kryetari Përparim Rama pa votën e PDK-së nuk do të mund të bëhej kryetar i komunës, ka mundur të shkojë të marrë në komunë ndonjë dokument…”, u shpreh ai për Gazeta Blic. I pyetur nëse do ta prishin koalicionin me LDK-së, ai tha se “është çështje që duhet të përgjigjet dega e partisë”.