Beqiri: S’jap dorëheqje për shkak të dëshirës së atyre që kërkesën e bëjnë t’u pi kafe

Dega e parë e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë, ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të kësaj dege, Ismet Beqirin, pasi që ata konsiderojnë se rezultati i dobët vije për shkak të tij, shkruan Indeksonline.

“Për më tepër, ne vlerësojmë se, Kryetari Beqiri, është shkaktari kryesor i gjendjes së krijuar në degën e I-rë në LDK në Kodrën e Trimave, pasi që sikurse në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, e poashtu edhe në këto të fundit të vitit 2021 ka ndikuar të kemi rezultatin më negativ që nga themelimi i partisë së krijuar nga Presidenti historik Ibrahim Rugova”, thuhet në komunikatën e degës së parë të LDK-së.

Lidhur me këtë, Ismet Beqiri në një prononcim për Indeksonline tha se nuk jep dorëheqje për shkak të dëshirës së disa individëve që e bëjnë kërkesën duke pirë kafe.

“Unë nuk jap dorëheqje për shkak të dëshirës së disa individëve dhe atë kërkesë që e bëjnë tu pi kafe, dmth ka struktura të degës dhe në mbledhje të degës do ta debatojmë rezultatin zgjedhor ashtu sic jemi marrë vesh edhe në kryesinë qendrore. Të gjitha degët i analizojnë rezultatet dhe pastaj aty merret vendimi“, u shpreh ai.

Tutje, Beqiri shtoi se nuk është i kënaqur me rezultatin zgjedhor, mirëpo këtë kërkesë e kanë bërë disa persona që sipas tij nuk e përfaqësojnë degën.

“Ajo është një kërkesë e disa individëve, nuk janë të gjithë ata në kryesi, janë disa të degës. Së pari, sigurisht ne të gjithë jemi të pakënaqur për rezultatin zgjedhor. Por është një kërkesë e disa individëve që nuk e përfaqësojnë degën, 4 ose pesë anëtarë të kryësisë, dhe 4 ose 5 kryetar të nëndegëve dhe të tjerët nuk janë në struktura të degës por ai është një takim që është bërë në kafe.

Deri më tani dega e parë gjithmonë i ka fituar zgjedhjet, kësaj radhe sikur të tjerët i kemi humb zgjedhjet. Ajo që është më rëndësi, që për cdo vendim për të ardhmen unë do ta thërras mbledhjen e degës dhe vendosin strukturat, kryesia e degës”, tha Beqiri.