Berisha: Ftesa ndaj Veselit politike dhe komprometuese, Specialja të dërgohet në Kushtetuese

Hysen Berisha, komandanti i njohur i luftës së Kosharës, njëherësh epror i lartë në Forcën e Sigurisë së Kosovës, ftesën e Gjykatës Speciale dërguar kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, po e vlerëson politike dhe komprometuese.

Berisha që në zgjedhjet e 6 tetorit ishte kandidat për deputet në radhët e PDK-së, në një intervistë EkonomiaOnline, thotë se Gjykata Speciale e ftoi Kadri Veselin në një moment kritik për vendin, megjithatë siguron se ai por edhe të gjithë të tjerët të ftuar do t’i përgjigjen drejtësisë në çdo rrethanë.

”Ftuarja e liderit të Partisë Demokratike të Kosovës, në këtë fazë kritike kur pritet konstituimi i institucioneve të dala pas zgjedhjeve. Kur veç vërehet një krizë ndërmjet dy partnerëve për ndarje postesh e gjëra të tjera çka po përfolët, edhe pse unë kam shumë dëshirë që ata të arrijnë një pajtim dhe të fillojnë qeverisjen është edhe politike edhe komprometuese. Sikur z.Veseli të ishte thirr në kohën kur ishte kryetar i Parlamentit, kur është thirr edhe kryeministri, e kisha konsideruar shumë normale. Ne do të përballemi me drejtësinë dhe do t’i përgjigjemi drejtësisë, sado e paragjykuar ne do t’i përgjigjemi. Por u thirr në një moment shumë kritik për vendin, jo për Kadri Veselin, e as partinë e tij”, thotë ai.

Ish-komandanti i Koshares të gjitha supozimet e Gjykatës Speciale po i konsideron si dosje të përgatitura në Beograd, por edhe argatë të tyre në Kosovë.

Ai vlerëson kontributin e Veselit duke thënë se punoi shumë për të ruajtur unitetin politik për hir të Kosovës.

Beson se drejtësia do të nxjerr në pah të vërtetën.

“Është thirr personi që ka udhëhequr shërbimin inteligjent në luftë, deri në vitin 2008 kur është krijuar tereni politik për ta shpallur pavarësinë. Personi që me deklarimet e tij të deri sotme asnjëherë nuk e ka drejtuar gishtin ndaj dikujt me gjuhë armiqësore, ose që ka prodhuar konflikt. Pra është munduar ta ruajë unitetin në emër të një kauze më të madhe që është shteti i Kosovës. Dhe tendenca për t’i identifikuar me vepra të supozuara dhe dosje të përgatitura në Beograd, apo me argatë të tyre nëpër Kosovë nuk është e ndershme. Unë kam besim që drejtësia do t’i nxjerr në shesh, ata që kanë përgjegjësi individuale do t’i mbajnë ato, ata që kanë kryer vepra të faktuara le të përballen me pasojat e tyre, por nuk është e ndershme të etiketohet një lëvizje siç ka qenë UÇK-ja dhe lufta”, thotë ai.

Berisha e pranon se dikush përfitoi në emër të luftës së UCK-së, por kundërshton ashpër ata që gjeneralizojnë dhe fajësojnë të gjithë luftëtarët.

“Nëse i adresohemi veprave të pasluftës ato janë zeje e profiterëve të luftës dhe jo e luftëtarëve të ndershëm. Edhe unë kam komanduar dhe le të mundohet dikush të më etiketon për ndonjë vepër mua apo shokët e mi. Nuk është e ndershme të bëhet gjeneralisim”, thotë ai.

Thotë se politikanët e kanë një mundësi që të përmirësojnë “gabimin” e bërë me Specialen.

Kërkon që të rishqyrtohet statusi i kësaj gjykate, pasi që konsideron se zhbërja është e pamundur.

Jep edhe një ide që ligjshmëria e kësaj Gjykate të vërtetohet edhe nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

“Prandaj unë mendoj se me konstituimin e institucioneve duhet të rishqyrtohet statusi i kësaj gjykate, të cilën vet e kemi krijuar dhe vet kemi drejt ta rishqyrtojmë. Bile duhet të dërgohet edhe në Gjykatën Kushtetuese, që të shihet se sa është në harmoni me normat kushtetuese që e rregullojnë ligjshmërinë dhe drejtësinë në vendin tonë. Zhbërja e disa mekanizmave që i kemi krijuar me kohën dhe që e kanë pasur mbështetjen dhe insistimin ndërkombëtar, nuk është edhe ai i lehtë, sepse bie ndesh me politikat që i ke harmonizuar me partnerët tanë. Por rishikimi i pozicionit dhe statusit të tyre juridik është i mundshëm, vetëm duhet të ekzistojë vullneti. Unë mendoj që kjo duhet të ndodh në të ardhmen”, thotë ai.

Ish-komandanti i Batalionit i të Brigadës “Agim Ramadani”, thotë se janë të kota pretendimet që kanë për qëllim njollosjen e luftës së pastër të UCK-së.

Thotë se lufta e bërë nga UÇK-ja kishte vetëm një objektiv, e ai është mbrojtja e pragut të shtëpisë dhe liria.

“Pretendimet që përmes numrit të rritur të padive nuk mund ta cenojnë apo ta etiketojnë UÇK-në si terroriste. Mbani në mend, lufta jonë nuk e ka pasur asnjë mundësi të kryejë veprime luftarake të karakterit terrorist, sepse motivi i parë i kësaj lufte ka qenë vullnetar dhe të mbrojmë pragun e shtëpisë dhe të luftojmë për liri ndaj një okupatori që ka eskaluar dhunën deri në gjenocid”, thotë ai.

Javët e fundit Gjykata Speciale ka shpeshtuar ftesat ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Madje po përflitet që gjatë muajt dhjetor të shpallen edhe aktakuzat e para nga kjo Gjykatë.