Konjufca: VV nuk do ta votojë buxhetin, përveç shkarkimit të Rikallos duhet edhe Qeveria të bie

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, në një intervistë për Telegrafi.com me gazetarin Muhamet Hajrullahu, ka thënë se partia e tij nuk do ta votojë nesër Projektligjin për Buxhetin 2019.
“Nuk do ta votojmë buxhetin, sepse është buxhet i cili nuk përmbush nevojat e qytetarëve por është buxhet për nevojat e qeveritarëve. Kjo qeveri është qeveri e asfaltit …. ne shpenzojmë 140 milionë euro për autostradë”, ka thënë Konjufca.
Konjufca i ka quajtur pazare kushtet e PSD-së për votim të buxhetit.
“Mendoj se është kërkesë vetëm sa për të bërë pazare me pushtetin, me ja dhanë një lloj velloje patriotike”, u shpreh ai.
Kërkesa e PSD-së për votim të buxhetit është edhe shkarkimi i ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo.
Sa i përket kësaj kërkese, Konjufca ka thënë se më mirë është me ra krejt qeveria e bashkë me të edhe Rikallo, sesa vetëm Rikallo.
“Ma mirë është me ra kjo qeveri ku do të shkonte edhe Rikallo, sesa veq Rikallo. Këto janë pazare, pazare ka pasur edhe për rastin e Shpend Ahmetit në Gjykatën Kushtetuese…”, u shpreh Konjufca.