Berisha: Ndërkombëtarët e pritën me entuziazëm rrëzimin e Qeverisë “Kurti”

Pas shkarkimit të qeverisë “Kurti”, mandatari i kaloi LDK-së për të formuar ekzekutivin, por Gjykata Kushtetuese pas ankesës së VV-së e pezulloi këtë proces deri më 29 maj.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e cila në fillim ishte kundër mbajtjeve të zgjedhjeve të parakohshme, tani po i kërkon ato që të mbahen pas pandemisë me Covid-19.

Anëtari i kësaj partie, Hisen Berisha, në një intervistë për Front Online, duke folur për mundësinë që qeverisjen tani ta marrë LDK-ja me partitë në koalicion, tha se tanimë LDK bashkë me VV-në i kanë demantuar të gjitha premtimet për qytetarët.

“Zhvillimet e fundit po tregojnë pandershmëri të theksuar të spektrit politik dhe qeverisë aktuale. Ne e patëm një qeveri e cila për 52 ditë i demantojë të gjitha ato synime dhe shpresa që i krijojë tek opinioni, me veprimet e veta. Nuk ishte opozita ajo e cili luftoi ta rrëzonte. Ajo e rrëzoi vetë veten me veprimet dhe u përball dhe u për çka së pari me aleatin me të cilin e bëri edhe koalicionin”, ka thënë ai për “Front Online”.

E rrëzimi i qeverisë “Kurti”, sipas Berishës është përcjell me entuziazëm nga ndërkombëtarët.

“Pandemia ka qenë një alibi prapa se cilës po fshihen të gjithë dhe unë kam vërejtur se përfaqësuesit ndërkombëtar, diplomatët ndërkombëtarë, në momentin kur shkoi mocioni për rrëzimin e kësaj qeverie shfaqën një lloj entuziazmi. Kjo sepse kjo qeveri ishte shumë larg pritjeve të partnerëve ndërkombëtarë”, ka thënë ai.

Berisha: Pandemia, alibi e qeverisë “Kurti”

Sipas Hisen Berishës, qeveria “Kurti”, e ka shfrytëzuar pandeminë COVID-19, për ta dëmtuar Kosovën në aspektin e diplomacisë ndërkombëtare.

“Këtë pandemi që po tentojnë që ta shfrytëzojnë. Unë njoh shumë doktor në Kosovë që janë në gjendje që të përballen në mënyrë shumë të suksesshme me të. Kjo ka qenë vetëm një alibi për ta dëmtuar Kosovën për ta degjeneruar ta them në aspektin e diplomacisë ndërkombëtare”, ka pohuar ai.

Mosbesim nga qeverisë në detyrë ka shprehur edhe anëtari i PDK-së. Ai ka theksuar se skeptik është edhe për qeverinë “Hoti”.

“Që nga mbarimi i zgjedhjeve, nuk kam besuar në këtë koalicion dhe nuk besoj dhe jam shumë skeptik edhe në këtë që do të bëhet pra qeveria “Hoti”, por megjithatë Kosovës i duhet sa më shpejt një qeveri e re e cila do ta përgatiste Kosovën për shkuarje në zgjedhje, duke e kryer reformën edhe të pushtetit lokal edhe reformën zgjedhore edhe kështu të krijohet një qeveri e cila në rast se është nevoja të shkohet deri në përfundimin e marrëveshjes dhe ta përgatisë vendim për zgjedhje të ardhshme”, ka thënë Berisha.

Komandanti i Koshares: Ata që thërrasin për protesta, të marrin përgjegjësi para institucioneve

Thirrja për protesta në rast të formimit të qeverisë “Hoti”, sipas Berishës është opsioni më i keq.

“Unë mendoj se trazirat do të ishin opsioni më i keq i atyre që thërrasin. Besoj që personat të cilët pa përjashtim, spektri qeveritar dhe parlamentar i lëvizjes Vetëvendosje, fatkeqësisht në vazhdimësi me gjuhën e tyre në media, janë duke i nxitur popullin dhe rininë në këtë rrugë”, ka thënë ai.

E për personat që thërrasin tubime të tilla, sipas anëtarit të PDK-së, duhet të bartin përgjegjësisë ligjorë ndaj institucioneve.

“Duhet patjetër që këta njerëz të bartin përgjegjësi ligjore ndaj institucioneve të Kosovës dhe duhet të veprojnë mekanizmat shtetëror për privimin e tyre nga mundësia për të josh popullin dhe rininë për të dal në rrugë. Kosova ka institucione, ka ligje, Kushtetutë, nuk ka nevojë për zgjidhje në rrugë. Të ndjekim zgjidhjet ligjore. Politika është maratonë dhe nëse dikush pretendon për një mandat me i arrit të gjitha objektivat çfarë i ka, në kokën e vet atëherë është në rrugë shumë të gabuar”, ka thënë ai.

Berisha: Kosova të kërkojë llogari nga Serbia për dëmet para dhe pas luftës

Ndërsa, për sa i përket arritjes së marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe të Serbisë, ai ka theksuar që Kosova nuk duhet të heq dorë nga asnjë e drejtë që i`a kanë dhënë Traktatet ndërkombëtare.

“Në marrëveshjen e përgjithshme mund të përfshihen elemente të tjera si: gjetja e trupave që ende nuk dihet se ku janë, dëmet e tjera që i janë bërë Kosovës gjatë luftës dhe para saj, siç janë dokumentacioni kadastral civil, kompensimi i dëmeve të luftës, nuk duhet të heqim dorë nga të gjitha të drejtat që na japin dokumentacioni ose Traktatet ndërkombëtare mbi luftën dhe paqen, pse duhet të arrihet një marrëveshje”, ka thënë ai për Front Online.