Biden nënshkruan urdhrin ekzekutiv për abortin

Presidenti amerikan Joe Biden nënshkroi të enjten një seri urdhrash ekzekutiv që synojnë zgjerimin e aksesit në sistemin shëndetësor e që përfshijnë regjistrimin e qytetarëve në Aktin e Shëndetësisë së Përballueshme, i njohur ndryshe si “Obamacare”.

Urdhrat e Biden parashikojnë gjithashtu rishikimin e politikave të administratës Trump që cenonin mbrojtjen e njerëzve me probleme mjekësore para ekzistuese.

“Nuk po bëjmë asgjë të re përveç rikthimit të Aktit të Shëndetësisë së Përballueshme dhe rivendosjes së ndihmës mjekësore në formën që ishte para se Trump të bëhej president, të cilën ai e ndryshoi duke e bërë më të paaksesueshme dhe më të shtrenjtë dhe për njerëzit”, shprehet Biden.

Mes urdhrave të Biden spikat ai për heqjen e kufizimeve për përdorimin e parave të taksapaguesve për financimin e klinikave që trajtojnë apo u këshillojnë abortin grave shtatzëna, si brenda edhe jashtë Shteteve të Bashkuara.

Biden theksoi se prioriteti kryesor i administratës së tij tani është të miratojë paketën e shpëtimit nga COVID. Kjo vjen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara kanë konstatuar rastin e parë të variantit të coronavirusit të zbuluar për herë të parë në Afrikën e Jugut, raporton euronews.

Prania e këtij varianti në Amerikë është shqetësuese pasi studime të laboratorëve të shumtë kanë treguar se redukton efikasitetin e vaksinës.