Biden pranon të takohet me Putin, ka një kusht

Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, parimisht është dakorduar për të mbajtur një samit me presidentin rus, Vladimir Putin, për të diskutuar mbi krizën në Ukrainë.

Bisedimet e propozuara nga Franca do të zhvillohen vetëm nëse Rusia nuk pushton fqinjin e saj, tha Shtëpia e Bardhë.

Takimi mund të ofrojë një zgjidhje të mundshme diplomatike për një nga krizat më të rënda në Evropë tash e disa dekada, shkruan BBC.

Zyrtarët amerikanë thonë se inteligjenca sugjeron se Rusia është gati të nisë një operacion ushtarak, të cilin Moska e mohon.

Propozimi u njoftua nga presidenca franceze pas dy telefonatave mes presidentit Emmanuel Macron dhe zotit Putin.

Shkëmbimi i dytë ndodhi në orët e para të së hënës dhe pasoi një bisedë 15-minutëshe që Macron bëri me Biden.

Zyra e Macron tha se detajet e samitit të mundshëm do të diskutoheshin gjatë një takimi midis Sekretarit të Shtetit të ShBA-së, Antony Blinken dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, të enjten.

Në një deklaratë që konfirmoi propozimin, Shtëpia e Bardhë tha gjithashtu se Rusia duket se po vazhdonte përgatitjet për një sulm të plotë ndaj Ukrainës së shpejt, dhe se ShBA ishte gati të impononte “pasoja të shpejta dhe të rënda” nëse kjo ndodh.

Sipas vlerësimeve të Shteteve të Bashkuara, Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 trupa pranë kufijve të Ukrainës.