Bideni paralajmëron Putinin për sanksione të forta ekonomike në rast se përshkallëzon situatën në Ukrainë

Në një video-telefonatë të shumëpritur, të martën, presidenti i ShBA-së, Joe Biden, paralajmëroi presidentin rus, Vladimir Putinin, për masa të forta ekonomike dhe të tjera në rast të përshkallëzimit ushtarak në Ukrainë, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

“Presidenti Biden shprehu shqetësimet e thella të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë evropianë për përshkallëzimin e forcave të Rusisë rreth Ukrainës dhe e bëri të qartë se ShBA-ja dhe aleatët tanë do të përgjigjen me masa të forta ekonomike dhe të tjera në rast të përshkallëzimit ushtarak”, thuhet në deklaratë.

“Presidenti Biden përsëriti mbështetjen e tij për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe bëri thirrje për deeskalim dhe kthim në diplomaci”, tha Shtëpia e Bardhë.

Vetëm disa orë para fillimit të telefonatës, zyrtarët ukrainas akuzuan se Rusia po vazhdonte të përshkallëzonte krizën, duke dërguar tanke dhe snajperë në Ukrainën lindore, të shkatërruar nga lufta, për të provokuar.

Përpara bisedimeve, Bideni u konsultua me telefon me aleatët evropianë, të hënën në mbrëmje, për grumbullimin e trupave ruse në kufirin me Ukrainën, me synimin për të koordinuar mesazhet dhe sanksionet e mundshme ekonomike kundër Moskës.

“Ne kemi një rrugë përpara që do të impononte dëm të konsiderueshëm dhe të rëndë në ekonominë ruse nëse Rusia do të pushtonte Ukrainën”, tha të hënën sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Uashingtoni dhe Kievi thonë se Moska ka grumbulluar trupa pranë kufijve të Ukrainës dhe akuzojnë Rusinë për planifikimin e një pushtimi.