Bie bora e parë në Kukës: Prefektura, masa përgatitore (foto)

Prefekti i Qarkut Kukës, Zenel Kuçana tha për ATSH se në kuadër të marrjes së masave për përballimin e emergjencave civile dimërore në Qarkun Kukës janë kryer një sërë masash përgatitore. Sipas tij, është zhvilluar nën drejtimin e Prefektit Qarkut Kukës mbledhja e zgjeruar e Komisionit të PPEC e Krizave me pjesëmarrjen e të gjithë strukturave përgjegjëse dhe aktorëve që kanë të bëjnë me emergjencat civile dimërore.

Kuçana tha se objekt kryesor do të jetë mbajtja në gatishmëri, të hapura e akseve rrugore që përshkojnë Qarkun.

“Të gjitha akset rrugore nacionale me gjatësi 345.5 km janë të dhëna me performancë 6 firmave kontraktore të cilat kanë kapacitetet e mjaftueshme në teknikë e bazë logjistike për përballimin e situatave. Për rrugët bashkiake me një inventar prej 1214 km është punuar e po punohet për marrjen e masave të nevojshme si për dhënien me performancë firmave kontraktore, ashtu dhe shfrytëzimin e kapaciteteve të tyre”, tha ai.

Po ashtu prefekti Kuçana thekson se janë marrë masa për shërbimin shëndetësor dhe arsimor.

“Për shërbimin shëndetësor të gjitha qendrat shëndetësore të njësive administrative janë kompletuar me paketën shtesë të ilaçeve dhe personelin shëndetësor. Bashkitë deri me datë 15.11.2019 do të përfundojnë furnizimin me lëndë djegëse për ngrohje për periudhën dimërore të ambienteve shkollore. Për furnizimin me energji elektrike dhe ujë të pijshëm janë marrë të gjitha masat duke siguruar bazën materiale të nevojshme për riparimin e defekteve në kohën e duhur”, tha ai./atsh