Bislimi: Ka pasur plan ruso-serb që dje të digjej pika kufitare e Jarinjës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi përmes një postimi në Facebook ka reaguar ndaj protestës së djeshme që u mbajt në Jarinjë.

Bislimi ka thënë se dje ka pasur plan ruso-serb që të digjej pika kufitare në Jarinjë.

Tutje Bislimi theksoi se pavarësisht se policia e Serbisë, dje u shfaq duke i ndaluar huliganët që mos ta djegin Jarinjën, ky quhet vetëm një akt tërheqjeje nga ana serbe.

Postimi i plotë:

DJE SERBIA NUK I NDALOI HULIGANËT SERBË – AJO U TËRHOQ NGA PLANI PËR DJEGIEN E JARINJËS

Intensiteti i sulmeve hibride të Serbisë dhe Rusisë ndaj Republikës së Kosovës është rritur ndjeshëm.

Grafiku i punuar nga institucionet e sigurisë, që pasqyron vetëm krizën e djeshme në Jarinjë, tregon qartë edhe aktorët e përfshirë dhe autorin e vërtetë, Putinin.

Ka pasur plan ruso-serb, që dje të digjej pika kufitare e Jarinjës.

Ky plan u parandalua nga institucionet e Republikës së Kosovës (veçmas mekanizmat e sigurisë), në bashkëpunim me partnerët perëndimorë (veçmas amerikanët).

Pavarësisht se policia e Serbisë, dje u shfaq duke i ndaluar huliganët që mos ta djegin Jarinjën, ky quhet vetëm një akt tërheqjeje nga ana serbe, duke e parë se një gjë e tillë do t’iu dështonte.

Siç e ka Serbia aleat Rusinë e Kinën, ne e kemi aleat Perëndimin dhe SHBA-në.

Ata përfaqësojnë agresionin, ne përfaqësojmë lirinë!