Bislimi: Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për heqjen e vizave

Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ka prezantuar agjendën e Qeverisë së Kosovës në Agjendën Evropiane për vitin 2022.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se prioritetet e tyre do të jenë “zbatimi i MSA-së dhe agjenda e reformave evropiane (ERA-II), sundimi i Ligjit, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, qeverisja e mirë dhe demokratizimi, rimëkëmbja ekonomike, reforma e administratës publike, marrëdhëniet e mira fqinjësore, përfshirë dialogun me Serbinë, përafrimi i legjislacionit me Acquis të BE-së dhe programimin dhe absorbimin më të madh të fondeve të paraanëtarësimit (IPA III) dhe Fondit Investiv për Ballkanin Perëndimor (WBIF)”.

Bislimi, tutje, ka theksuar se sot shënohet 10-vjetori i fillimit të dialogut të liberalizimit të vizave mes BE-së dhe Kosovës.

“Prandaj, shfrytëzova rastin t’ua rikujtoj vendeve anëtare të BE-së që Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret e nevojshme dhe qytetarët e Kosovës janë në pritje të një vendimi për heqjen e vizave, të cilën e meritojnë”, ka thënë Bislimi.