Bislimi thotë se ka një pajtim me Beogradin për zgjedhjet e 3 prillit

Për organizimin e zgjedhjeve presidenciale serbe në Kosovë më 3 prill, Qeveria e Serbisë duhet t’i dërgojë një kërkesë zyrtare Qeverisë së Kosovës, në të cilën do të kërkonte ndihmë për mbledhjen e votave në territorin e Kosovës, ka thënë Besnik Bislimi.

Kryenegociatori pohon se Beogradi u pajtua të dërgojë një kërkesë për ndihmë për mbajtjen e zgjedhjeve përmes Zyrës Ndërlidhëse të Prishtinës në Beograd.

“Në fakt jo për zgjedhje, sepse nuk do të kishte fushatë, por për të mbledhur vota në territorin e Kosovës”, ka thënë ai në një intervistë për KoSSev.

“Qeverisë së Kosovës nuk i takon në asnjë mënyrë t’i kufizojë të drejtat e qytetarëve që kanë të drejtë vote në Serbi, por është çështja e marrëveshjes”, pohon Bislimi, dhe shton:

“Përgjigja e qeverisë ishte se ka praktika në vendet evropiane në rastet kur një vend dëshiron të organizojë zgjedhje për qytetarët e tij që kanë shtetësi të dyfishtë – jashtë territorit të tij dhe një mënyrë të qartë se si ato organizohen”.

3 prilli, dita kur pritet të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë po afron, ndërkohë që presioni po rritet mbi udhëheqësit e institucioneve të Kosovës që ta lejojnë mbajtjen e tyre në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se ai është në kontakt me ambasadat e vendeve më të industrializuara QUINT dhe me Bashkimit Evropian, që të gjendet një zgjidhje për serbët e Kosovës që duan të votojnë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 3 prillit në Serbi.