Bislimi ua quajti të pasakta deklaratat se “Kosova refuzoi QUINT-in”, flasin nga BE

Sot gjatë ditës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka quajtur të pasaktë konstatimin e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, i cili tha se Kosova ka refuzuar propozimin e QUINT-it për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë.

Bislimi gjatë ditës ka mohuar se Kosova ka marrë vendim për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë sipas propozimit të QUINT-it.

E rreth kësaj çështjeje, për lajmi.net kanë folur nga Bashkimi Evropian.

Pikërisht zëdhënësi Stano, ka ritheksuar qëndrimin e mëhershëm të BE-së duke shtuar se nuk i komentojnë qëndrimet e politikanëve, rrjedhimisht as të Bislimit.

“Ne nuk komentojmë deklarata nga politikanët, qëndrimi ynë është siç e thashë tashmë gjatë konferencës së mesditës për shtyp”, ka thënë Stano.

Në përgjigjen e tij dhënë për lajmi.net, ai ka ricekur se BE-ja ka vepruar si lehtësuese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të gjendet një zgjidhje praktike e pranueshme.

“Më konkretisht, BE-ja ka vepruar si lehtësues ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të gjejë zgjidhje praktike të pranueshme duke përdorur analogji nga praktikat e vendosura evropiane se si organizohet votimi për qytetarët me të drejtë që banojnë jashtë vendit të tyre të origjinës”, ka shtuar ai për lajmi.net.

Po ashtu, Stano theksoi se BE-ja bashkë me QUINT-in, janë angazhuar në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje që do t’u mundësonte votuesve me të drejtë vote në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike dhe të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale serbe.

“Në muajt e fundit, BE-ja është angazhuar në mënyrë aktive, duke përfshirë QUINT-in, në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje që do t’u mundësonte votuesve me të drejtë vote në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike dhe të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale serbe”, ka shtuar Stano.

Tutje, ai thotë se Serbia ka qenë e gatshme në gjetjen e zgjidhjeve, dhe se vendimi i Kosovës është në kundërshtim me angazhimet për të ardhmen e saj.

“Ndërsa e pranojmë se Serbia ishte e gatshme në gjetjen e zgjidhjeve, na vjen keq që nuk është gjetur një konsensus ndërmjet palëve pas vendimit të Kosovës për të refuzuar një propozim konstruktiv të paraqitur nga QUINT-i. Ne e konsiderojmë këtë vendim në kundërshtim me angazhimet e Kosovës për të ardhmen e saj evropiane dhe parimin e mbrojtjes së të drejtave demokratike të të gjithë qytetarëve të saj, duke përfshirë edhe popullatën jo shumicë”, shtoi ai.

Në përgjigje shtohet se deri më tani të dyja palët kanë vendosur një praktikë që lejonte votimin fizik në Kosovë dhe se qëndrimi i BE-së është se kjo praktikë duhet vazhduar.

“Nuk ka marrëveshje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, por deri më tani të dyja partitë kanë vendosur një praktikë që lejonte votimin fizik në Kosovë. Ky do të ishte opsioni më i zbatueshëm edhe për zgjedhjet e 3 prillit. Prandaj, qëndrimi i BE-së mbetet se praktika e vendosur e OSBE-së për organizimin e një operacioni “mbledhjeje votash” në Kosovë duhet të kishte vazhduar, me disa modifikime specifike për t’iu përshtatur rrethanave aktuale”, tha ai.

Më tej, vazhdohet se BE-ja pret që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet që mund të rrisin tensionet dhe që të gjitha marrëveshjet e dialogut të respektohen.

“BE-ja tani pret që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet dhe retorika që mund të rrisin tensionet. Ne gjithashtu u bëjmë thirrje të dyja palëve që të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në negociatat në vazhdim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. BE-ja gjithashtu vazhdon të kërkojë që të gjitha marrëveshjet e Dialogut të respektohen duke përfshirë marrëveshjen lidhur me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e Kosovës, e cila u arrit në vitin 2013 në kuadër të Dialogut.”

Përndryshe Bislimi sot gjatë ditës  e ka quajtur si të pasaktë deklaratën e Stanos se Kosova ka refuzuar propozimin e QUINT-it.

“Mendoj që ka pak pasaktësi në konstatim. Ne nuk kemi thënë që mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë është jo kushtetuese, por kemi thënë që mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë pa aprovim të institucioneve të Kosovës, është jo kushtetuese. Ne mendojmë që në të kaluarën dhe për këtë ka pajtim dhe konsensus, zgjedhjet e Serbisë në Kosovë nuk kanë qenë kushtetuese deri më tani”.

Lidhur me modelin që është propozuar nga shtetet e QUINT-it, Bislimi tha se ka qenë një përpjekje për të shmangur shkeljet kushtetuese që janë bërë gjatë mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, viteve të kaluara.