Polici i Kosovës ngrit në këmbë të gjithë shikuesit në Spanjë, e bën për vete shtetin që nuk e njeh Kosovën (foto/video)

Brenda Policisë së Kosovës, në radhët e djemve dhe vajzave që me vizion të paepur shkojnë të trajnohen në Akademinë Policore, atje i pret njeriu që mbi supet e tij rëndojnë lavdishëm medalje, mirënjohje, dekorata, tituj me arsye prej më të ndryshmeve.

Në takimin e parë me të, çdo student e kupton mirëfillshëm që seriozitetin duhet ta mbjellë në aktivitetin e tij gjatë akademisë e ta përcjellë edhe në punë më vonë, përndryshe trajneri i tij nuk bën tolerime… sepse Kosovës i duhen policë të përgatitur sipas kriterit ndërkombëtar.

Për trajnerin policor, një polic i papërgatitur është tradhti ndaj shtetit, andaj bën maksimumin dhe nuk lejon lëshime…atje të drithëron për së miri disiplina, kualiteti dhe sukses !

Dhe nuk mbaron me kaq, ky është vetëm një rresht i ditarit të tij, mirëpo një kupë floriri i pandryshkur për shtetin, sepse me një polici të përgatitur si duhet, shteti ka themelin e palëkundur.

Ai nuk ndalet asnjëherë…në emër të Kosovës dhe për Kosovën, la Belgjikën, vendin që i siguroi jetë komode dhe erdhi në radhët e shqiptarëve që vendosën t’i japin fund mizerieve dhe veprave çnjerëzore serbe.

Duke udhëhequr djemtë e vajzat shqiptare, luftuan deri në çlirimin e atdheut… për të lufta ishte melodia më e bukur që mund t’i këndohej vendit kundrejt armikut.

E kur flamujt e lirisë valviteshin dhe gëzimi ishte i pashterrshëm në çdokënd që e priste ta shohë Kosovën pa pushtues, luftëtari i palodhshëm i luftës bënte punën e deminimit, që fëmijët të ecnin të lumtur dhe ta ndjenin në çdo pore aromën e vendit me flamur kuq e zi…

Po pra, ky është Kampioni i shumëfishtë për medaljet e fituara dedikuar shtetit dhe policisë së Kosovës, i cili asnjëherë nuk di të lodhet, i mjafton dashuria për atdheun dhe me këtë motiv kapërcen çdo sfidë për të ia dalë mbanë, ai kthehet fuqishëm si hero, sa herë që e prezanton Policinë e Kosovës mes Policive të botës.

Nëse të çon rruga deri tek shtëpia e tij do të mund të shohësh shumë medalje të radhitura njëra pas tjetrës sikur në gara atletike, të cilat bartin histori, lavdi, krenari e fitore, e në anën tjetër vështirësi, mund, rrugë, labirinthe e mure të larta që shumë zor kalohen.

Është emri i tij që e ka bërë të pamundurën realitet, ani pse ka qenë shpesh mision i pazgjidhshëm për këdo tjetër.

Është Kampioni Anton Cena ai që nuk e deshi luftën e lirisë për vete, as titujt e sportit ndërkombëtar, ato ia dedikoi Kosovës me përulje dhe nder.

Është Kampioni që nuk njeh vitet në moshë, ai i cili duhet të përkrahet fuqishëm nga shteti dhe policia jonë, sepse ai nuk flet fjalë odash, ai bën vepra botërore!

Ambasadori më i mirë i Policisë së Kosovës dhe Shtetit të saj është Anton Cena, që bëri të ngritet flamuri në shtetin që nuk e ka pranuar Kosovën – Spanjën plot diell, pasi u shpall prapë kampion i Evropës për veteranë.