Blerim Latifi publikon një fotografi të tij nga lufta në Koshare

Filozofi Blerim Latifi  ka publikuar një fotografi sot, në ​22 vjetorin e thyerjes së kufirit Kosovë-Shqipëri, shkruan Fokusi.info.

Përmes një postimi në Facebook, Latiifi ka thënë se këtë fotografi e kishin bërë me një aparat që e kishte sjellë nga Norvegjia, Rexhep Shehi.

Në foto, Latifi shihet bashkë me Nehat Shalën.

Ndryshe sot bëhen 22 vjet nga thyerja e kufirit Kosovë-Shqipëri.

Beteja e Koshares më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.

Më poshtë postimi i Latifit:

Kjo është njëra prej dy fotografive të vetme që kam nga Lufta e Kosharës. Neve që ishim në vijën e parë të frontit nuk na binte në mend për të bërë fotografi dhe po të mos ishte Rexhep Shehi që kishte sjellur një fotoaparat nga Norvegjia, as kjo fotografi nuk do të shkrepej kurrë. Këtu kam dalë bashkë me Nehat Shalën, i cili u nda nga ne vitin që shkoi. Unë isha vetëm 20 vjeç, ndërsa Nehati dyfish më i moshuar. Sot ne kujtojmë fillimin e Luftës së Kosharës, luftës që theu përfundimisht kufirin e vendosur dhunshëm midis trupit etnik e territorial të kombit shqiptar. Për ne që mbetëm gjallë krenaria është e dyfishtë: krenarë që patëm fatin të jemi në atë vend ku u nderuan armët e kombit tonë dhe krenarë që ishim bashkë me 114 heronjtë e Kosharës që dhanë jetën e tyre për nderin dhe lirinë e Kosovës. Varret e tyre janë pishtarë që na e ndriqojnë rrugën sa herë që ne e humbim atë në terrin e rrjedhës së historisë.