Borrell: Marrëveshja për targat Kosovë-Serbi ishte ‘dakordim i përbashkët’

Marrëveshja e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte ‘dakordim i përbashkët’ pasi ata synojnë t`i japin fund një mosmarrëveshjeje gati dy vjeçare mbi targat e makinave në veri të Kosovës, për të cilat perëndimi kishte paralajmëruar se mund të shkaktonte dhunë etnike.

Shefi për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në një konferencë shtypi të mbajtur pas Forumit të Bashkimit për Mesdheun në qytetin spanjoll të Barcelonës, deklaroi se marrëveshja dukej të ishte “propozim i arsyeshëm”.

Më herët në mëngjes Borrell njoftoi për marrëveshjen në një video që postoi në Twitter pasi ajo u arrit në Bruksel nën ndërmjetësimin e BE-së.

Kosova kishte planifikuar që nga e enjtja (24 nëntor) të fillonte shqiptimin e gjobave për rreth 10 mijë shoferë serbë që vazhdojnë të përdorin targat e makinave të lëshuara nga Serbia.

Të hënën (21 nëntor), kishte një përpjekje e cila dështoi, kur kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç, nuk arritën marrëveshje dhe Kosova u detyrua të shtyjë për 48 orë, fillimin e shqiptimit të gjobave ndaj shoferëve, pas një kërkese nga SHBA-ja.

Borrell tha se do të ftojë të dyja palët në ditët në vijim për të diskutuar një propozim të BE-së, të mbështetur edhe nga Franca dhe Gjermania, që do t’i lejojë armiqtë të normalizojnë marrëdhëniet, shkruan Reuters.

Kosova ka tentuar këtë vit t’i kërkojë minoritetit të saj serb që t’i ndryshojë targat e veturave të vjetra që datonin para vitit 1999 kur Kosova ishte ende pjesë e Serbisë. Serbët në pjesën veriore të vendit kanë rezistuar, ndonjëherë edhe me dhunë.