Borrell thotë se edhe para luftës në Ukrainë pati ringritje tensionesh mes Kosovës dhe Serbisë

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell, ka lëshuar një deklaratë të gjatë publike në të cilën tregon më zgjeruar për vizitën e tij që pati në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Bosnje-Hercegovinën.

Borrell vë në theks të veçantë dënimin e pushtimit rus të Ukrainës, nga ana e udhëheqësve të shteteve të cilat ai vizitoi javën që e lëmë pas.

”Udhëheqësit e tyre ishin të qartë në dënimin e pushtimit rus të Ukrainës dhe të tre vendet i janë bashkuar sanksioneve tona kundër Rusisë. Ne jemi të bashkuar në përpjekjet tona për të ndalur luftën dhe për të ndihmuar popullin ukrainas. Theksova me vendosmëri angazhimin e BE-së për të mbështetur edhe më shumë Ballkanin Perëndimor dhe për të çuar përpara të ardhmen e rajonit në Bashkimin Evropian”.

Mes tjerash në këtë qëndrim, ai pranon se lufta në Ukrainë ka sjellur kujtime të gjalla të luftërave rreth shpërbërjes së ish-Jugosllavisë në vitet 1990 dhe fillimin e viteve 2000.

Ai përmend ringjalljen shqetësuese të tensioneve specifikisht midis Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, që sipas tij kishte ndodhur edhe para konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës, përcjell Klankosova.tv.

”Një ringjallje shqetësuese e tensioneve në rajon

Por edhe para luftës në Ukrainë, pati një ringritje shqetësuese të tensioneve në rajon, veçanërisht brenda Bosnjë-Hercegovinës dhe midis Serbisë dhe Kosovës”.

”Ne kemi parë ndërhyrje nga jashtë që synojnë të destabilizojnë fqinjët tanë dhe të dobësojnë Bashkimin Evropian, veçanërisht përmes fushatave tinëzare dhe të mirë-dokumentuara të dezinformimit të Rusisë”.

”Vështirësitë e pandemisë COVID-19 në të gjithë Evropën janë shfrytëzuar, por këto fushata janë rritur më tej ndjeshëm që nga fillimi i luftës kundër Ukrainës. Frika nga rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve si rezultat i luftës në Ukrainë është gjithashtu shumë e fortë në Ballkanin Perëndimor, vende që janë shumë më të varfra se ato në BE”.

Ai thotë se kjo çështje u shfaq qartë në diskutimet e tij me autoritetet dhe shoqërinë civile në këto vizita që realizoi.