Bozhanic e pranon se serbët e fshatit Zoqisht ishin të armatosur nga ushtria serbe

 Në Gjykatën Speciale në Hagë po vazhdon intervistimi i dëshmitarit të shtatëmbëdhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ajo është Dragica Bozhanic dhe po dëshmon pa masa mbrojtëse në seancë publike.

Bozhanic kishte jetuar në Rahovec, në Zoqisht, gjatë luftës dhe ka folur për një rast sulmi të pretenduar nga pjesëtarë të UÇK’së ndaj serbëve në këtë fshat.

Në pyetjet e prokurorisë, nuk është folur fare për rrethanat e vështira që u krijuan nga sulmet serbe, dhe as për pohimet se serbët civilë në atë kohë ishin të armatosur nga ushtria serbe. Por, kjo gjë nuk i ka ikur avokatëve.

Gregory Kehoe e ka pyetur për armatimin që kishin serbët e asaj zone që ta marrë nga forcat serbe. Bozhanic e ka pohuar faktin se serbët në fshatin e saj, Zoqisht, ishin të armatosur. “Kur filluan të shtenat ju e kuptuat që serbët kishin arme më vete?”, pyeti Kehoe, ndërkaq përgjigja e Bozhanic ishte “Po”. Ajo madje ka thënë se serbët civilë kishin edhe jelekë ushtarakë me vete.