Britani e Madhe: Vaksina kundër Covid-19 rezulton e efektshme dhe e sigurt për t’u marrë

Vaksina kundër Covid-19, e prodhuar nga Universiteti i Oksfordit, është e sigurt për t’u marrë dhe po nxit reagime imunitare ndaj virusit.

Kështu kanë thënë të paktën rezultatet e fazave të para të testimit të saj.

Rezultatet e testimeve të vaksinës treguan sot se gati 100 për qind e njerëzve të cilëve iu është dhënë doza kanë pasur reagim imunitar ndaj koronavirusit, raportojnë mediet britanike, transmeton lajmi.net.

Në një nën-grup të vogël me 35 pjesëmarrës, prej 477 gjithsej, 33-35 prej tyre shfaqën përgjigje “neutralizuese” ndaj virusit korona. Kjo nënkupton se trupi i tyre mund ta vrasë virusin nga familja Sars-Cov2 për një muaj.

Gjithashtu, ata kanë gjetur se vaksina e Oksfordit, një nga kandidatët kryesorë në garën globale të vaksinave të koronavirusit, ishte e sigurt dhe asnjë pjesëmarrës nuk ka pësuar efekte anësore serioze.

Sidoqoftë, më shumë se gjysma e pacientëve kanë raportuar efekte anësore të moderuara, sikurse është lodhja, dhimbja e kokës, të dridhurat, dhimbje të muskujve ose dhimbje në vendin e injektimit.

Shkencëtarët kanë thënë që efektet anësore ishin një “çmim i vogël për të paguar” për t’u mbrojtur ndaj Covid-19.