Britania akuzon Rusinë për vjedhje të punimeve për zhvillimin e vaksinës për COVID-19

Britania akuzoi inteligjencën ruse për vjedhje informacionesh nga organizatat që po punojnë për zhvillimin e vaksinës kundër koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Qendra e Sigurisë Kibernetike në Mbretërinë e Bashkuar (NCSC) publikoi një rekomandim në lidhje sulmet kibernetike kundër organizatave globale, duke raportuar se sulme kibernetike janë organizuar nga grupe kërcënuese të lidhura me shërbimin e inteligjencës ruse kundër organizatave që kryejnë punime për zhvillimin e vaksinave kundër COVID-19.

Në dokument thuhet se sulmet e kryera nga grupi i quajtur APT29, i njohur gjithashtu si “The Dukes” dhe “Cozy Bear”, janë të lidhura me shërbimin sekret rus.

Në dokument po ashtu theksohet se sulmet nuk kishin për qëllim të pengojnë hulumtimet, por për të vjedhur informacione të punimeve për zhvillimin e vaksinës.

NCSC tha se fakti që sulmet kundër organizatave që zhvillojnë vaksina janë kryer nga inteligjenca ruse është konfirmuar edhe nga Autoriteti Kanadez i Sigurisë së Komunikimit (CSE), Departamenti Amerikan i Sigurisë së Brendshme (DHS) dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së (NSA).

Drejtori i Operacioneve të NCSC-së, Paul Chichester, i dënoi sulmet kibernetike kundër punimeve jetike për zhvillimin e vaksinave.

Chichester vuri në dukje se janë të përkushtuar për të mbrojtur pasuritë kritike dhe se i japin përparësi mbrojtjes së industrisë së kujdesit shëndetësor.