Bundestagu gjerman miratoi Ligjin për ardhjen e punëtorëve të kualifikuar, çfarë do të thotë kjo

Bundestagu Gjerman ka miratuar Ligjin për fuqinë e kualifikuar punëtore me të cilin u lehtësohet ardhja e punëtorëve nga vendet e tjera.

Bahri Cani gazeta i Deutsche Welle ka thënë se deri në futjen në fuqi duhet të kalojnë disa procedura, por se me Ligjin e ri parashikohen ndryshime dhe lehtësime të shumta, për ardhjen e punëtorëve të huaj të kualifikuar.

“Me këtë ligj parashikohet lehtësimi i njohjes së diplomave dhe kualifikimeve që do të thotë që të huajt nëse i plotësojnë kushtet e tjera mund të vijnë në Gjermani dhe pa njohjen paraprake të diplomave dhe njohjen mund ta bëjnë pasi të vijnë këtu”, tha ai..

Cani më tej tha se deputetet gjerman theksuan se Ligji për ardhjen e fuqisë së kualifikuar është i domosdoshëm. Përkundër faktit që Gjermania vitin e kaluar ka pasur 2.5 milion të papunë, ka 1 milion 930 mijë vende të lira të punës.

“Ministri i punës gjerman tha se Gjermania ka nevojë për punonjës të kualifikimet e larta, por edhe për punonjës të tjerë. Personat e papunë që janë në agjenci për punë nuk i plotësojnë kushtet për vendet e lira të punës. Shumë prej tyre dhe nuk duan të punojnë se rrogat janë pak më të larta se ndihmat sociale”, tha ai.

Ndërsa tha se arsye për këtë është dhe largimi i qindra mijëra njerëzve nga Gjermania çdo vit, pasi që sipas të dhënave të Agjencisë së Punës Gjermanisë i mungojnë për punë për çdo vit rreth 400 mijë punëtorë të kualifikuar.
“Me këtë ligj parashikohen masa të shumta për aftësimin dhe kualifikimin e personave që tani janë të regjistruar si të papunë dhe integrimi në tregun e punës të femrave, pasi që shumë nga to punojnë me orar të shkurtuar”, tha ai.

Ndryshe me këtë ligj do të ketë dhe lehtësime sa i përket marrjes së Kartes Blu, pasi që azilkërkuesit e paraqitur deri me 29 mars 2023 do të kenë mundësinë të marrin lejen e qëndrimit, në qoftëse gjejnë një kontratë pune dhe mund të integrohen në vendin e punës. Ndërsa për personat pas kësaj date, kjo nuk vlen.

Cani po ashtu tha se Qeveria gjermane ka parashikuar të ndryshojë dhe Rregulloren për Ballkanin Perëndimor, gjë që do të dyfishon kërkesën për numrin e punëtorëve pa kualifikime, por të cilët së pari duhet të sigurojnë një kontratë pune.