LDK edhe një shans Kurtit, Quni: Hiqe taksën, ktheje Veliun dhe vazhdojmë punën

Ministri i Mbrojtjes nga radhët e LDK-së, Anton Quni i ka dhënë edhe një mundësi kryeministrit Albin Kurti për ta hequr mocionin.

Ai para deputetëve tha se nëse Kurti e tërheq vendimin për shkarkimin e Agim Veliut dhe e heq taksën pakushte, do të tërheqin mocionin për rrëzimin e Qeverisë.

“Brenda kësaj një ore të keni konsideratë të gjitha vërejtjet e kryetarit dhe LDK-së, dhe jam mëse i bindur që do ta gjejmë zgjidhjen e përbashkët. Ju jeni identifikuar si njeri prapa të cilit ne do të luftojmë krimin e korrupsionin, ende e kam këtë shpresë, por që nga ky moment e tutje çdo gjë varet nga ju. Nëse ju e humbni LDK-në si aleat besnik, nuk e di cila do të jetë e ardhmja, me kënd do të krijoni aleancë, cila do të jetë përspektiva e qytetarëve, por ne nuk po na lejoni mundësi tjetër përpos ta shprehim një mocion”, tha Quni në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Sidoqoftë, ishte nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci ajo që sqaroi procedurën duke thënë se për t’u tërhequr mocioni duhet të tërhiqen nënshkrimet.Kuvendi pas fjalimit të Qunit ka shkuar në pauzë një-orëshe.