Cakaj takon ambasadoren amerikane: SHBA partner i pazëvendësueshëm për Shqipërinë

Kryediplomati shqiptar, Gent Cakaj, ka pritur në takim Ambasadoren e sapoemëruar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim.

Cakaj në këtë takim me ambasadoren Kim, ka diskutuar në lidhje me angazhimin e Shqipërisë në hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, kryesimin e OSBE’së, si dhe marrjen e ulëses jo të përhershme në Këshillin e Sigurimit në vitin 2022.

Me anë të një postimi në Facebook, Cakaj u shpreh mirënjohës ndaj SHBA’vë për reformat e brendshme dhe forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Shqipërisë.

“Mirënjohës për mbështetjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për reformat e brendshme dhe forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Shqipërisë. SHBA-ja është partner i pazëvendësueshëm politik e strategjik për Shqipërinë!”, përfundoi ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj në postimin e tij.