Çështja e detit/Rama mesazh opozitës dhe presidentit: Kush bën popullin për budalla, e pëson!

Kryeministri Rama, ishte sot në Shijak, ku shoqërohej nga Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, për të parë nga afër procesin e banesave të rindërtuara pas shkatërrimit të tyre nga tërmeti i 26 nëntorit. Nga atje, Rama, foli edhe një herë në lidhje me çështjen e kufirit detar me Greqinë. Rama përsëriti që nuk ka asnjë marrëveshje për këtë çështje, ndërsa nuk nguroi të japë një mesazh për presidentin dhe opozitën.

“Është për të vënë duart në kokë që ka njerëz që mund të besojnë se ata që e firmosën atë marrëveshjen e famshme që u refuzua nga ne, dhe Gjykata Kushtetuese e rrëzoi, i kanë dalë tani detit në mbrojtje nga ne. Kuptojeni të gjithë, s’ka marrëveshje nuk është arritur. Negociatat janë ndërprerë qysh kur u ndryshua qeveria në Greqi. Grupi negociator që duhet të riformatohet kalon edhe përmes presidentit. Të thuash sot bëj transparencë për diçka që nuk ekziston është qesharake dhe dashakeqëse. Ky popull është i mençur, kush e merr për budalla e pëson. Kjo është një tjetër arsye pse do ta pësojnë përsëri ata që duan ta bëjnë për budalla me këtë historinë e detit”, u shpreh Rama nga Shijaku./dritare.net