Çfarë i shkroi Zelensky familjes së gazetarit amerikan që u vra nga rusët në Ukrainë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka ngushëlluar familjen e gazetarit amerikan, Brent Renaud, që u vra nga forcat ruse në Ukrainë, derisa po raportonte.

“I shpreh ngushëllimet e mia të përzemërta familjes së Brent Renaud, i cili humbi jetën duke dokumentuar pamëshirshmërinë dhe të keqen e shkaktuar ndaj njerëzve ukrainas nga Rusia. Jeta dhe sakrifica e Brent-it le të frymëzojë botën të ngrihet në luftë për forcat e dritës kundër forcave të errësirës“, ka shkruar presidenti në Twitter, raporton Indeksonline.

Më poshtë letra e plotë në shqip:

E nderuar familje e Brent Renaud,

Me pikëllim të thellë po ju shkruaj për t’ju shprehur ngushëllimet e mia të përzemërta për humbjen tragjike të djalit dhe vëllait tuaj të dashur, Brent Renaud.

Një gazetar i talentuar dhe i guximshëm, Brent humbi jetën duke dokumentuar tragjedi njerëzore, shkatërrime dhe vuajtje të miliona ukrainasve. Me gjithë guximin dhe vendosmërinë e tij, ai udhëtoi në zonat më të rrezikshme të luftës për të filmuar pamëshirësinë dhe të keqen e paparë, të shkaktuar mbi kombin tonë edhe nga shteti agresor.

Populli i Ukrainës, i cili po lufton kundër regjimit rus për të mbrojtur atdheun e tij dhe demokracinë në botë, është në zi me ju.

I jemi mirënjohës Brent për profesionalizmin dhe përkushtimin e tij ndaj vlerave të dhembshurisë, etikës dhe drejtësisë.

Jeta, shërbimi dhe sakrifica e Brent-it le të frymëzojnë breza njerëzish në mbarë botën që të ngrihen në luftë për forcat e dritës kundër forcave të errësirës.