Chollet telefonon Kurtin e Vuçiqin, dënon sulmin ndaj policisë, kërkon kthimin në dialog

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet ka zhvilluar bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq pas zhvillimeve të fundit në Banjskë të Zveçanit.

Chollet i ka ftuar palët të kthehen në dialog, të bëjnë depërshkallëzim urgjent e të zbatojnë marrëveshjen e Ohrit.

Në bisedë me Kurtin, Chollet e ka dënuar ashpër sulmin e grupit terrorist ndaj policisë së Kosovës teksa ka shprehur ngushëllime për policin, Afrim Bunjaku që humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës.

“Bisedova me kryeministrin Kurti pas sulmit të tmerrshëm të së dielës në Kosovë. Dënoj ashpër dhunën kundër Policisë së Kosovës; shpreha ngushëllime për humbjen e rreshterit Afrim Bunjaku. Të dyja palët duhet të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe të zbatojnë marrëveshjen e Ohrit”, ka shkruar Chollet.
Ndërsa në bisedë me Vuçiq, Chollet ka theksuar nevojën urgjente për të rivendosur qetësinë dhe shmangien e veprimeve që mund të nxisin tensione më tutje.

“Fola me presidentin Vuçiq për rëndësinë e deeskalimit të menjëhershëm në veri të Kosovës dhe shmangien e veprimeve që mund të nxisin më tej tensionet. Humbja tragjike e jetës nënvizon nevojën urgjente për të rivendosur qetësinë dhe për t’u kthyer në dialogun e lehtësuar nga BE”, ka shkruar Chollet.