Zemaj: Gjatë vitit 2021 planifikohet të bëhet vaksinimi masiv i popullatës kundër COVID-19

Nga 1 korriku 1244 persona kanë humbur jetën nga COVID-19. Përkundër numrit të madh të personave që humbën jetën, ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, e ka quajtur si të suksesshme punën e tij në menaxhimin e pandemisë së korona virusit.

Ai gjatë konferencës së fundvitit, ka treguar se grup mosha më e prekur nga ky virus është 30-39 vjeç, ndërsa mbi 80 për qind e të infektuarve janë raste të konfirmuara brenda institucioneve private dhe familjare.

Zemaj derisa ka folur për vaksinat anti-COVID, theksoi se me 7 dhjetor është bërë aplikimi zyrtar i Kosovës për sigurimin e kësaj vaksine në COVAX, mekanizëm ky i ngritur nga Aleanca globale e vaksinave CAVI.

Po ashtu ai ka njoftuar se gjatë vitit 2021 planifikohet të bëhet vaksinimi masiv i popullatës deri në 50 për qind.

“Ministria e Financave ka deklaruar që financimi i zinxhirit të ftohtë është aprovuar dhe do të bëhet me COUNCIL of Europe Development Bank Loan me shumë prej 2,3 milionë euro. Kategoritë prioritare të cilat janë planifikuar të imunizohen me vaksinat kundër COVID-19, janë punëtorët shëndetësorë, popullata mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, personat e rendit dhe sigurisë publike, dhe sigurisht mësimdhënësit.

Fillimisht janë planifikuar 360,000 vaksina apo 740,000 doza të vaksinës, ku do të vaksinohet 20 për qind e popullatës. Gjatë vitit 2021 planifikohet të bëhet vaksinimi masiv i popullatës deri në 50 për qind. Njëkohësisht është bërë planifikimi i vaksinimit masiv të popullatës në Kosovë 2021-2022 me vaksinën kundër COVID-19 ku planifikohen 522,927 hera 2 doza, që nënkupton 1, 045,914 doza të vaksinës”, ka deklaruar Zemaj.