Çipsat nga Serbia përmbajnë substanca kancerogjene

Në kufirin kroat, një nivel i lartë i një substance kancerogjene është gjetur në patatet e skuqura me shije speci të prodhuara në Serbi. Kështu është bërë me dije në faqen e internetit të Komisionit Evropian.

Produkti nuk ka hyrë në tregun kroat dhe është shkatërruar nga dogana në kufi. Substanca “akrilamide” nuk mund të gjendet në ushqimet e freskëta dhe formohet kryesisht gjatë përpunimit të ushqimit në temperatura mbi 120 gradë, si dhe në lagështi të ulët, që përfshin pjekjen, skuqjen dhe forma të tjera të përgatitjes.

Zakonisht gjendet në bukë, patate të skuqura, drithëra mëngjesi, biskota dhe kafe.

Siç ka njoftuar Agjencia Kroate e Ushqimit është vlerësuar se prania e “akrilamidit” në ushqim mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të kancerit në të gjitha grupmoshat.