Çitaku, kryeministrit: Mirë që po e respekton SHBA-në, por a e ke pasur gabim atëherë a tash?

Vlora Çitaku, nga Partia Demokratike e Kosovës, e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti duke e potencuar se ai i ka ndryshuar qëndrimet në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me proceset e dikurshme që kanë sjellë lirinë dhe pavarësinë, ndonëse ajo e ka vlerësuar mirënjohjen e tanishme të Kurtit ndaj ShBA-së.

“Sinqerisht dhe pa cinizëm, po më vjen mirë që, më në fund, kryeministri i Kosovës po shpreh mirënjohje dhe respekt publik për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

“Neve, më herët, për qëndrime të bashkërenduara me SHBA-në, kryeministri i sotëm na ka etiketuar si tradhtar, të nënshtruar, e të shantazhuar”.

“Por, këto qëndrime të kundërshtuara ashpër atëherë nga z. Kurti, i kanë sjellë Kosovës lirinë (përmes Rambujesë), i kanë sjellë pavarësinë, (përmes procesit të Vjenës), dhe i ka sjellë MSA-në (përmes dialogut në Bruksel)”.

“Mes tjerash, z. Kurti, atëbotë ka pasë thirrur edhe një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, për të denoncuar një shkëmbim letrash mes Kryeministrit Thaçi dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s”.

Çitaku kërkoi të dijë nëse Kurti do ta pranojë se a e ka pasur gabim atëherë apo tani, si dhe ka kërkuar ta dijë qëndrimin e tij të tanishëm për Marrëveshjen e Uashingtonit.

“E mos të flasim për zhurmat e paarsyeshme të z. Kurti lidhur me angazhimet e ish-Sekretares Albright në mbështetje të Kosovës. Këto të fundit i kanë të publikuara në fletushkat e VV-së”.

“Kryeministër, a jeni vendosur në linjë me SHBA-të, se dialogu me Serbinë për marrëveshje finale me njohje reciproke është çështje urgjente dhe se kërkon angazhim serioz edhe nga Kosova? “

“Cili është qëndrimi juaj për marrëveshjen e Uashingtonit (marrëveshje të cilën e mbështetë administrata Biden)?”

“Kryeministër, a e ke pasë gabim atëherë a tash?”