Çitaku, Sveçlës: Gjuha kundër veteranëve, turp dhe mjerim – je për ta mbrojtur Kushtetutën, jo t’i sulmosh mediat

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, i ka reaguar ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili krahasoi protestat e sotme të veteranëve në veri me ato në Beograd, e etiketoi gazetarët, Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi.

Çitaku, deklaratën e Sveçlës e cilësoi si skandaloze, teksa i tha atij se “je aty me mbrojt rendin, ligjin, Kushtetutën e jo me i sulmu mediat”.

“Jo me e cenu fjalën e lirë. Po sillesh si Komisar. E për gjuhën kundër veteranëve, s’po flas. Turp dhe mjerim”, shkroi Çitaku.

Kujtojmë se Sveçla më herët tha se në Beograd, çdo të shtunë, tash e disa javë ka protesta, teksa shtoi se “është e çuditshme se si qëlloi që protesta të jetë e organizuar të shtunën, kohën e njejtë me protestën në Beograd që atje po organizohet kundër Vuçiqit”.

Tutje, ministri i Brendshëm përmendi edhe përgjimet ku dëgjohet shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari – Lila, duke biseduar me ish-shefin e deputetëve të Listës Serbe, Sllavko Simiq.

“Biseda të zhvilluara në Kuvend, të cilat Lista Serbe i kishte incizuar dhe incizimet ia kishte dorëzuar Vuçiqit, nga dora e Vuçiqit gjetën rrugën e tyre për t’u publikuar në një media në Kosovë”.

“Dhe tani si rezultat i keqinterpretimeve të qëllimta e patëm një skenë dhune të provokuar në parlamentin e Kosovës, dhe si të mos mjaftonin ato skena që portretizuan Kosovën si vend jostabil në të gjitha mediat ndërkombëtare, sot ka edhe një protestë të thirrur para qeverisë”.

“Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dijnë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë”, shkroi Sveçla.