Cramon, Vuçiqit: Është e paligjshme hyrja në territorin e Kosovës dhe prangosja e policëve si kriminelë lufte

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, i ka reaguar ashpër Beogradit pas kidnapimit të tre policëve kufitarë në veri.

Në një shkrim në Twitter, Cramon tha se është e paligjshme hyrja në territorin e Kosovës me forcat speciale të policisë serbe duke prangosur policët si kriminelë lufte.

Cramon theksoi se Vuçiq, është një autokrat i cili, për ta larguar vëmendjen nga problemet që ka në Serbi, ka krijuar incident në zonën kufitare me Kosovën.

“Çfarë bëjnë autokratët kur janë nën presion brenda vendit? Ata kërkojnë mënyra dhe mjete për të larguar vëmendjen nga problemet në shtëpi. Një rast klasik i kësaj duket të jetë incidenti i djeshëm në zonën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë”, shkroi raportuesja e PE-së.

Tutje tha se Serbia për t’u bërë anëtare e BE-së , duhet të ndjekë sundimin e ligjit, kështu, duhet që policët e Kosovës të lirohen sa më shpejtë.

Po ashtu, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Punë të Jashtme, Josep Borrell, ka njoftuar këtë të enjte se shpreson që javën e ardhshme të takohet me përfaqësuesit e Serbisë dhe Kosovës në Bruksel.

Takimi do të zhvillohet në një kohë tensionesh mes Kosovës dhe Serbisë për shkak të refuzimit të serbëve të Kosovës për të pranuar shqiptarët për kryetarë në katër komunat veriore ku është i përqendruar minoriteti serb i Kosovës, shumicë në këtë rajon.

Borrell iu referua arrestimit të tre policëve nga Kosova nga Serbia dhe theksoi se ata “po përpiqen të përcaktojnë saktësisht se çfarë ka ndodhur” dhe se BE-ja është “në kontakt të ngushtë” me komandën e misionit të NATO-s në Kosovë dhe me Beogradin dhe Prishtinën “për të parë se çfarë ndodhi në të vërtetë këtu dhe çfarë çoi në këtë arrestim”./Telegrafi/