Dacic reagoi ndaj spekulimeve se do të heqin preambulën për Kosovën nga kushtetuta serbe në kuadër të reformave të kërkuara nga BE

Kryeministrja e qeverisë serbe Ana Brnabic dhe kryetari i kuvendit serb Ivica Dacic kanë komentuar për mediat serbe nëse ajo preambulë do të jetë pjesë e diskutimeve të ndryshimeve kushtetuese të nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Ishte Dacic që e mohoi se ajo preambulë do të shqyrtohet, transmeton Gazeta Metro.

Brnabic dhe Dacic u deklaruan para komisionit parlamentar të kuvendit serb për çështjet e kushtetutës rreth rëndësisë së reformave.

Brnabic ka thënë se ky propozim i qeverisë për ndryshime kushtetuese në fushën e sundimit të ligjit është në kuadër të integrimeve europiane dhe një prej kërkesave kyçe të tyre.

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Dacic hodhi poshtë spekulimet se me ndryshimin e kushtetutës së Serbisë do të preket edhe ‘preambula për Kosovën e Metohinë’, siç e quajnë.

Brnabic tha se Serbia ka përparuar në reforma duke i marrë parasysh udhëzimet e Komisionit Europian dhe Komisionit të Venecias.

Mirëpo qeveria serbe ka pranuar kritika të ashpra nga bashkësia ndërkombëtare në procesin e negociatave me BE për kthim prapa në reformat demokratike, që u pa së fundi nga raporti vjetor i Parlamentit Europian.