Daçiq: Nuk mund ta pengojmë anëtarësimin e Kosovës në BE

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se nuk mund ta pengojnë anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Serbia do të jetë e pafuqishme në ndalimin e anëtarësimit të Kosovës në BE për shkak se ky shtet nuk është anëtar i saj.

“Ne nuk jemi anëtarë të BE-së, shtetet anëtare votojnë për të, dhe pesë prej tyre nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, por Hungaria e cila e njeh tha se nuk do të votojë për pranimin e Kosovës”, u shpreh Daçiq.

Ndryshe, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë dje se Kosova do të aplikojë për statusin e vendit kandidat në Bashkim Evropian diku nga mesi i dhjetorit.

Bislimi ka thënë se aplikimi do të bëhet në koordinim me Presidencën Çeke.

“Kemi një ekip prej 4 ekspertëve që po rrinë e po bisedojnë në Bruksel me secilat shtete anëtare. Po ashtu jemi në koordinim të ngushtë me Presidencën Çeke për datën. Kemi datë, por jemi duke u koordinuar, pritet nga mesi i dhjetorit. E di se do të ketë vende hezituese, por nuk e zhvlerëson aplikimin kjo. Do të jetë aplikimi në sirtar të BE-së nuk ka rrezik të ketë efekte negative, por do të ketë vetëm efekte pozitive”, ka thënë Bislimi në Komision për Integrime Evropiane.