Daçiq për zarfet që erdhën nga Serbia dhe për flamurin në zyrën e Albin Kurtit: “Gjeli gjelit nuk ia nxjerr sytë”

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq tha sot se historia e zarfeve të helmuar është një ndër miliona “gënjeshtra klasike” të Prishtinës, ndërsa, siç tha ai, vetëm një është e vërtetë – një flamur shqiptar që Albin Kurti e mban në kabinetin e tij.

I pyetur nëse nuk ka ndonjë reagim ndërkombëtar në rastin e zarfeve të dyshuar për helmim, Daçiq tha se “gjeli-gjelit nuk ia heq sytë”.

Kryediplomati serb tha gjithashtu se ka edhe rrena të tjera të Kosovës ajo se në “vitin 1999 Serbia ndaloi i 100,000 njerëz në stadiumin e Prishtinës dhe arrestoi fëmijët shqiptarë për të marrë gjakun e tyre dhe për t’ua dhënë ushtarëve dhe policëve tanë”, transmeton Klan Kosova.

Çështja e flamurit kuqezi në zyrën e Vetëvendosjes gjatë takimit mes Albin Kurtit dhe ambasadorit britanik, Nicholas Abbott i çoi në këmbë zyrtarët në Beograd ku u zhvillua edhe një debat mes Vuçiqit dhe ambasadorit britanik, transmeton Klan Kosova.

”Një foto e Ambasadorit në takim me një nga udhëheqësit politik në Kosovë ka marrë vëmendje në rajon. Është punë e ambasadës që të punojë me akterë udhëheqës politik në Kosovë. Ne nuk kemi zgjedhur se si bashkëbiseduesi ynë, në kapacitetin e tij partiak, ka rregulluar dhomën”, ishte kundër reagimi i ambasadës ndaj kreut të shtetit serb.

Nuk vonoi as përgjigjja e këtij të fundit drejtuar diplomatit britanik në Prishtinë.

“Faleminderit për përgjigjen tuaj të qartë. Të gjithë i kuptuam”, tha ai.