Dalin detaje të reja në lidhje me incidentin e Ozilit dhe Kolasinacit me hajdutët e armatosur (video/foto)

Gjatë mbrëmjes së enjte është shfaqur një video, ku shihen Mesut Ozil dhe Sead Kolasinac duke u konfrontuar me disa grabitës të armatosura me thika.

Kolasinac është përshkruar si një hero në mediat sociale pasi luftoi kundër dy hajdutëve, të cilët u përballën me boshnjakun pas tentimit për të grabitur veturën e Ozilit.

Ndërkohë, Ozil mbeti në veturën e tij Mercedes G-Class 4×4 së bashku me gruan e tij Amine, e cili gjithashtu thuhet se ishte në makinë në kohën e incidentit.

Arsenali konfirmoi se të dy lojtarët “janë mirë”, por situata mund të ketë përfunduar shumë ndryshe.

Sky News tani ka publikuar detaje të mëtejshme për atë që ka ndodhur, përfshirë raportet e dëshmitarëve, një nga të cilët pretendon se Ozil dukej “absolutisht i tmerruar” gjatë tentimit të grabitjes.

Sky kupton se Ozil dhe Kolasinac po vozisnin veturën përgjatë Golders Green Road kur ata u ndoqën nga dy hajdutë, të cilët u përpoqën të shkatërronin dritaret e makinës me gurë dhe një tullë që kishin ruajtur në një çantë shpine.

Ata iu afruan futbollistëve jashtë shtëpisë së Kolasinac dhe u përpoqën të vidhnin një orë.

Ozili reagoi duke e lënë automjetin në mes të rrugës përpara se të hynte në një restorant turk të quajtur Likya.

Lojtari gjerman, i cili është me prejardhje turke, u ndihmua më pas nga kamerierë dhe kuzhinierë të restorantit.

Yasmin Tahsiner, pronar i Likya ka thënë për Sky News se Ozil dhe Kolasinac janë klientë të rregullt në restorantin e tyre – dhe thanë se ishin ndjekur nga dy individë të paidentifikuar për “10 deri në 15 minuta”.

“Ata i thanë Kolasinacit, më jepni menjëherë orën tuaj. Pastaj, kur u përpoqën ta sulmonin, ai u përpoq të hyjë brenda makinës”.

“Nga dera tjetër, sulmuesi u mundua të hyjë brenda makinës. Kur Ozil e largoi makinën, ata i ndoqën me motoçikletë për 15 minuta”, ka thënë ai për Sky Sports.

Ozil më pas i kërkoi ortakut të Tahsiner që të thërras policinë, ndërsa një dëshmitar shtoi se Ozil “dukej absolutisht i tmerruar” dhe dukej se ishte “duke vrapuar për jetën e tij”.

Arsenali po e trajton incidentin si një “çështje private” dhe këmbëngul se nuk do të ndikojë në përgatitjet para-sezonale të lojtarëve.

Policia e Scotland Yard konfirmoi se ata ende nuk kanë arrestuar askënd, por janë në kërkim të tyre.

“Është raportuar se të dyshuarit me motorë kishin tentuar të vidhnin një njeri që po ngiste një makinë. Shoferi, së bashku me pasagjerin e tij, arritën të largoheshin të padëmtuar dhe udhëtuan në një restorant në Golders Green, ku ata u folën me oficerët”.

“Nuk ka pasur arrestime. Kërkimet vazhdojnë”, thuhet në njoftimin e Policisë.