Dalin në dritë detaje të reja nga shpërthimi me tritol i makinës së prokurorit Albert Kuliçi (video)

Detaje të reja dalin në dritë nga shpërthimi me tritol i makinës së prokurorit Albert Kuliçi në Vlorë.

Sipas Kreut të Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluci ngjarja mund të lidhjet me çështjet e javëve të fundit që kanë të bëjë me sekuestrimin e aseteve me vlerë 4 milionë euro.

Ndërsa i dërguari i KLP, Bazaj deklaroi se prokurori do marrë mbrojtje të posaçme. Ngjarjen e dënoi dhe Presidenti Ilir Meta.

Kërcënohet me tritol prokurori i Vlorës Albert Kuliçi. Rreth orës 02.50 të së shtunës Makinës së tij i është vendosur lëndë plasëse. Fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka të persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Prokuroria ka dyshime të forta se tritoli i është vendosur për shkak të detyrës. Kuliçi drejton dhe task-forcën kundër krimit ekonomik. Ndaj dhe Kreu i Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluci e lidh ngjarjen me sekuestron preventive të vendosur ditët e fundit të aseteve të personave të dyshuar si kriminelë.

Ndërsa i dërguari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Tartar Bazaj pas një mbledhje të posaçme për ngjarjen tha se Kuliçi do marrë një mbrojte të posaçme.

Kurse Drejtori i Policisë Vlorë, Artion Duka është diskret në lidhje me emrin e ndonjë të dyshuari të mundshëm.

Mësohet se uniformat blu kanë sekuestruar kamerat e sigurisë të bizneseve përreth për të rënë në gjurmët e autorëve dhe kanë mundur të shohin imazhin e njërit prej tyre./abcnews.al

https://youtu.be/o22X-6XNp7s