Ndërmarrja “Trepça” me probleme të mëdha: Punëtorët nuk i kanë marrë ende pagat e muajit janar

Keqmenaxhimi dhe problemet e mëdha finanaciare janë vetëm disa nga fenomenet që e kanë karakterizuar ndërmarrjen publike “Trepça” për vite me radhë.

Për vite me radhë këtë ndërmarrje e kanë karakterizuar punësimet dhe emërimet politike në pozitat kyçe, duke e vështirësuar në këtë formë mbijetesën e ndërmarrjes e aq më pak për ta ndihmuar progresin e saj.
Punëtorët e “Trepçës” përveç kushteve të rënda për punë, në vazhdimësi po përballen edhe me mungesën e pagave mujore, të cilat vazhdojnë të mos i marrin në kohë.

Gazeta Online Veriu.info ka raportuar për probleme të tilla për vite me radhë e tash së fundi edhe në vitin 2019 për vazhdimin e problemeve të njëjta e sidomos vonesën e ekzekutimit të pagave për punëtorët e ndërmarrjes “Trepça”.

Veriu.info mëson se punëtorët e “Trepçës” ende nuk i kanë marrë rrogat e muajit janara, sado që tani jemi gati në mesin e muajit shkurt të vitit 2019.

Për shkak të problemeve të mëdha menaxhuese ndërmarrja nuk ka mjete për ekzekutim të pagave, dhe më së shumti një gjendje të tillë e vuajnë minatorët e ndërmarrjes që pas punës mujore të mos marrin në kohë pagën për mbajtjen e familjeve të tyre.

Në një prononcim të shkurt për Gazetën Online Veriu.info drejtori i ndërmarrjes “Trepça”Basri Ibrahimi ka thënë se janë ende brenda afateve kohore për realizimin e pagave për muajin janar.

Sipas Ibrahimit ndërmarrja ka një kohë të caktuar që i mundëson ekzekutimin e pagave për punëtorë deri në datën 10 të muajit të ardhshëm, që në këtë rast nënkupton datën 10 shkurt për derdhjen e parave në xhirollogaritë e punëtorëve për muajin janar.

Ndërkohë punëtorët kanë shprehur pakënaqësi me vonesa duke paralajmëruar edhe greva nëse pagesën nuk kryhen deri në fillim të javës së ardhshme.