Dalin rezultatet paraprake të zgjedhjeve në PD, Basha fitues me mbi 80%

Votimet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike janë përmbyllur në orën 19:00 dhe tashmë pritet edhe fituesi i tyre.

Nga burime të Albanian Post brenda Partisë Demokratike, të dhënat paraprake nxjerrin qartësisht fitues kreun aktual të demokratëve, me mbi 80% të votave tërësore.

Midis kandidatëve të tjerë, ndahen rreth 18% të votave të mbetura. Agron Shehaj rezulton si i dyti më i votuar. Edith Harxhi ndjek e treta dhe më i pak i votuari rezulton Fatbardh Kadilli.

Në shifra konkrete, Basha rezulton fitues deri tani i 81.34% të votave. Ai ka marrë 32 mijë e 845 vota të anëtarësisë së demokratëve.

Shehaj ka rezultuar të fitojë 14.42% të votave me 5 mijë e 821 vota. Një shifër kjo e respektueshme duke marrë parasysh se aktiviteti i tij politik në mënyrë aktive daton vetëm katër vjet më parë.

Edith Harxhi rezulton të ketë fituar 2.36% duke grumbulluar 953 vota të demokratëve. Kuadrin e plotëson i pari që shpalli kandidaturën për të rivalizuar Bashën, Fatbardh Kadilli, me vetëm 2% të votave, e përkthyer në shifra, 757 në tërësi.