Prangoset në Belgjikë shqiptari i kërkuar

Një 45-vjeçar nga Vlora është prangosur në Belgjikë.

Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të Policisë së Vlorës.

Nisur nga publikimi në media i personave në kërkim, për një person të kërkuar për vrasje mbetur në tentativë, i cili jetonte ilegalisht në Belgjikë, qytetarët kanë dhënë informacione të sakta për policinë e cila ka informuar kolegët e Belgjikës.

Në pranga është vënë, Dritan Xhelita, i cili akuzohet se ka plagosur një punonjës policie.

Njoftimi i Policisë së Vlorës:

Shkëmbimi i informacioneve mes Interpol Tirana dhe Policisë belge bëri të mundur identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e shtetasit Dritan Xhelita, 45 vjeç, banues në Vlorë.

Në kuadër të bashkëpunimit, Policia belge, në koordinim Policinë Kufitare të Rinasit ka bërë deportimin e këtij shtetasi nga Belgjika në Shqipëri.

Gjykata e Apelit Tiranë, në vitin 2016, e ka dënuar këtë shtetas me 14 vite burgim, për veprën penale të ‘Vrasja në rrethana cilësuese, e mbetur në tentative’ ndaj punonjësit të Policisë P. Y.

Policia Kufitare e Rinasit ia ka dorëzuar shtetasin e lartpërmendur Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ku dhe është bërë ekzekutimi i vendimit të gjykatës për këtë shtetas.

Policia e Shtetit falënderon autoritetet policore belge për bashkëpunimin mjaft të mirë me Policinë e Shtetit dhe për reagimin profesional e në kohë për rastin konkret.