Dallime mes partnerëve: Kurti kritikon marrëveshjet me Serbinë në Munih, ministrat e LDK’së i mirëpresin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për marrëveshjet e nënshkruara sot në Munih, mes Kosovës e Serbisë.

Sot, me ndërmjetësimin amerikan, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar dy marrëveshje fillestare, atë për hekurudhat dhe atë për autostradat.

“Sot në Munih janë nënshkruar dy marrëveshje nga zyrtarë të autorizuar nga ish ministri Pal Lekaj dhe i gjithë procesi i negocimit është bërë para fillimit të Qeverisë sonë. Së këndejmi, këta zyrtarë nuk kanë marrë autorizim nga Qeveria e re as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje. Për më tepër as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë. Kanë qarkulluar drafte të ndryshme jozyrtare”, ka shkruar Kurti.

Në praninë e dy presidentëve, Hashim Thaçi i Kosovës dhe Aleksandar Vuçiq i Serbisë, marrëveshjet janë nënshkruar nga Xhemë Veseli, drejtor i Transportit rrugor, dhe Ramë Qupeva, drejtor i Infrastrukturës rrugore.

Kurti thotë se ky proces duhej të ishte transparent.

Por, për dallim nga Kurti, marrëveshjet e sotme në Munih i kanë përshendetur zyrtarët më të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, partnere në qeverisje e Lëvizjes Vetëvendosje të Kurtit.

Marrëveshjet i ka përshendetur zëvendësi i Kurtit në qeveri, njëherësh zyrtar i lartë i LDK’së, Avdullah Hoti, dhe ministri i Punëve të Brendshme, njëherësh nënkryetari i LDK’së, Agim Veliu.

Veliu ka shkruar në Facebook se roli i SHBA-së në dialog është i domosdoshëm.

Ai thotë se çdo marrëveshje e arritur në mes të dy vendeve është e mirëpritur.