Daut Haradinaj – Glauk Konjufcës: As ju s’mund ta zgjidhni Presidentin me 28 deputetë

Në një përgjigje për Glauk Konjufcën, lidhur me deklaratën e tij mbrëmë për Haradinajn se ‘nuk ka ja unë me 10 deputet President, ja Kosova me u kallë”, Daut Haradinaj thotë se ‘për këtë duhet të negociohet me partitë politike dhe këtë po bën përpjekje AAK ta bëj”. Periskopi e ka pyetur Haradinajn për këtë…

“Pas zgjedhjeve Haradinaj s’mund të thotë unë do të jem presidenti. Harroje ja unë president me 10 deputetë, ja Kosova ka me u kallë’’,deklaroi Konjufca mbrëmë, shkruan Periskopi.

Daut Haradinaj thotë se Presidenti nuk zgjidhet as me 15 e as me 28 deputetë. “Për këtë arsye” – thotë ai – “jemi duke negociuar me partitë parlamentare”.

“Nuk zgjidhet presidenti as me 15 apo 28 deputetë, për këtë arsye jemi tuj negociu për zgjedhjen e presidentit me partitë parlamentare ose nëse nuk ka konsensus për këtë temë, zgjedhjet janë të pashmangshme”, ka thënë Haradinaj për Periskopin.

AAK vazhdon të mbajë qëndrimin se nëse ‘Haradinaj nuk do të përkrahet për President”, sipas tyre ‘vendi lirisht mund të shkojë në zgjedhje’.

Këtë deklaratë partitë të tjera e komentojnë në mënyra të ndryshme. Në PDK thonë se ‘ata nuk kanë vota për Haradinajn”. Në LDK thonë se ‘AAK ka të drejtë ta propozojë Haradinajn president” por se ‘PDK-se i takon Presidenti’.