Daut Haradinaj: Pas kërcënimit të Vuçiqit, të punojmë për institucione stabile

Shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj ka thënë se pas kërcënimit për luftë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por edhe ngritjes së aktakuzave nga Specialja, duhet institucione stabile për vazhdimin e dialogut.

Haradinaj situatën në Kosovë e ka vlerësuar si serioze dhe se për këtë gjë duhet një unitet kombëtar dhe politik, duke nënkuptuar që procesi i dialogut me Serbinë duhet të ndalet.

“Kosova sot është me një situatë të pazakontë, të pa parë më herët. Gjendja është serioze dhe kërkon unitet kombëtar dhe politik në raport me zhvillimet e brendshme dhe ato të jashtme. Prioritet i vendit sot është stabiliteti institucional dhe unifikimi politik karshi shumë agjendave ndërkombëtare.”, ka thënë ai për Periskopin.

Haradinaj, po ashtu u shpreh se dialogu me Serbinë ‘nuk ka nguti’.

“Dialogu nuk ka alternativë sikurse nuk ka nguti. Edhe ashtu Kosova duhet të demonstrojë institucionalizëm serioz, pasi po flasim për shtetin që po atakohet nga shumë dashakqinjë të mvetësisë sonë”, u shpreh ai.

Kujtojmë që AAK dhe Vjosa Osmani kanë thënë se procesi i dialogut me Serbinë duhe të ndalet pas ngritjes së aktakuzave nga Gjykata Speciale për ish-udhëheqësit e UÇK’së.