Daut Haradinaj tregon se a është përjashtuar nga AAK Albena Reshitaj

Zhvillime të njëpasnjëshme pati gjatë ditës së djeshme në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Në sallën ku deputetët ishin mbledhur për të zgjedhur presidentin e ri të vendit, e pranishme ishte edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj.

Pavarësisht se ishte pikërisht lideri i AAK-së, njëherësh deputeti Ramush Haradinaj tha se deputetët e partisë së tij nuk do të jenë të pranishëm në seancën për zgjedhjen e presidentit, një gjë të tillë nuk e bëri edhe Reshitaj.

Në seancën e të shtunës ku u tentua dy herë votimi në raudin e parë befasi ishte prania e Reshitajt, e ngjashëm ndodhi edhe dje.

Madje gjatë ditës së djeshme Reshitajt iu kërkua mos-prania në seancë edhe nga bashkëpartiaket. Por pavarësisht kësaj e njëjta shkoi në sallën e Kuvendit të Kosovës dhe madje votoi në zgjedhjen e presidentit.

Pas kësaj në media u raportua se AAK tashmë ka përjashtuar nga partia deputeten Reshitaj. Lidhur me këtë lajmi.net ka kontaktuar deputetin Daut Haradinaj.

Haradinaj ka mohuar një gjë të tillë, duke theksuar se nuk ka informacion lidhur me këtë përveç nëse e njëjta është vetpërjashtuar.

“S’kam info, vetëm nëse është vetpërjashtu”, tha shkurt ai.

Albena Reshitaj ndryshe pati deklaruar se kjo s’ka të bëjë asgjë kundër partisë, por që e njëjta ka dashur që të mos jetë Lista Serbe që të vendos lidhur me fatin e Kosovës dhe kësisoj ka vendosur që të jetë e pranishme në seancën e Parlamentit të Kosovës.

Pavarësisht që Vjosa Osmani arriti të zgjidhet presidente e re në vend me 71 vota pro dhe 11 abstenime, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj zgjodhi që të mos e uroj atë.

Madje Haradinaj pati një deklaratë të gjatë në të cilën tregoi qartë se vazhdon të jetë kundër zgjedhjes së Osmanit si presidente.

“Votat e kontrabanduara në këtë proces tregojnë se Vetëvendosje dhe Guxo nuk guxojnë. Sistemi njëpartiak dhe i kapur sapo filloi. Aleanca do të jetë zë i ndërgjegjes së popullit, shtyllë kushtetuese dhe mbrojtëse e ekonomisë së tregut të lire”, tha ndër të tjerash Haradinaj.