Deçan: I gjejnë armë të kalibrit të rëndë e maska të zeza, arrestohet

Arrestohet një person për veprat penale ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ dhe ‘mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim i paautorizuar i armëve’, shkruan Gazeta Metro.

Me datën 16.10.2019, Policia e Kosovës, konkretisht, hetuesit nga Stacioni Policor Deçan, kanë siguruar informata se personi i dyshuar në vazhdimësi bënte presion, dhunë psiqike ndaj familjarëve të tij, duke gjuajtur me armë, me ç’rast ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm ndaj qytetarëve.

Njësitet policore në Deçan në përkrahje të Njësisë së Reagimit të Shpejtë DRP Pejë, në konsultim me prokurorin e Shtetit dhe me urdhër të gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Pejë, dega Deçan, kanë bërë kontroll-bastisje të shtëpisë së personit të dyshuar në fshatin Irzniq-Deçan.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit Z. Q. i lindur me 1978 m/k/sh, është gjetur një armë e kalibrit të rëndë (zollë krahu), me ç’rast është thirrur njësitit i deminimit, të cilët kanë bërë kontrollimin dhe pastrimin e zonës për eksploziv të rrezikshëm.

Përpos këtij mjeti të rrezikshëm tek i dyshuari janë gjetur dhe janë sekuestruar:

dy armë automatike AK-47 të kalibrit 7.62mm

dy pistoleta (kalibër 9x19mm dhe 6.65mm)

një armë e rëndë (zoll krahu- antitank)

trembëdhjetë (13) karikator për AK-47

treqind e pesëdhjetë (350) fishekë të kalibrit 7.62 mm

dy karikatorë për pistoletë dhe 28 fishekë të kalibrit 9x19mm

nëntë (9) fishekë të kalibrit 6.65 mm

tri (3) maska të zeza

tri (3) palë targa të targa dhe mjete tjera si prova materiale

Në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe janë fiksuar gjurmët dhe provat e të shtënave me armë brenda shtëpisë siç është siguruar informacioni.

Personi i dyshuar pas arrestimit është intervistuar edhe për katër (4) raste tjera të paraqitura në zonën e Deçanit. I njëjti me urdhër të prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.