Këshilli drejtues ia ndalon UP-së të hapë konkurse pa aprovim të tij

Asnjë pozitë, funksion apo konkurs publik në media elektronike, të shkruara apo uebfaqe të UP-së nuk do të mund të shpallë Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” pa aprovim paraprak të Këshillit drejtues të këtij institucioni. Kështu ka vendosur Këshilli drejtues i UP-së përmes një vendimi që e ka marrë më 5 dhjetor.

Sipas vendimit që e ka siguruar Koha Ditore, Këshilli e ka obliguar menaxhmentin e UP-së që brenda një afati të arsyeshëm kohor të rishikojë të gjitha vendet e punës dhe të identifikojë nevojat reale për personel akademik dhe administrativ të Universitetit për vitin 2020. Po ashtu, në këtë vendim, Këshilli ka kërkuar që në të gjitha njësitë e UP-së të rishikohet fondi i orëve/normave dhe çdo angazhim tjetër i personelit akademik.

Kryesuesi i Këshillit drejtues të Universitetit të Prishtinës, Ujkan Bajra, ka thënë për Kohën Ditore se vendimi ka për qëllim të vendosë rregull, kontroll e monitorim më të madh në UP, në mënyrë që t’ia lehtësojë menaxhmentit të përmbushë objektivat e vendosura në përgjithësi.

“UP-ja është institucioni më i madh i arsimit të lartë në Kosovë, me 14 njësi akademike. Pra, mund të them se arsyeja është thjesht strategjike, që si organ më i lartë drejtues në UP, KD-ja t’i ketë të njohura se cilat janë nevojat për resurse (personel akademik e administrativ) në Universitet. Andaj, KD e konsideroi si të arsyeshme të ketë një analizë të detajuar mbi nevojat reale të Universitetit, për vitin 2020”, ka thënë Bajra.

Ai ka shtuar se gjatë diskutimit në Këshillin drejtues të kërkesave buxhetore, sipas sugjerimit të Ministrisë së Financave, pozicioni i “paga dhe mëditje” nuk është pasqyruar në planifikimin e buxhetit të UP-së për vitin 2020. Përpos kësaj, sipas tij, Këshilli kishte parasysh edhe kërkesat e Ligjit të pagave, dhe ka parashikuar potencialisht situatë jo të mirë me të cilën mund të ballafaqohen në vitin 2020.