“Deda i kohëve moderne”, punonjësi i OSHEE në Kukës bëhet viral teksa çan dëborën deri në brez

Nuk ka shqiptarë që nuk e ka parë të paktën një herë filmin “Rrugë të Bardha”, ku tregohet se si një djalë i ri, Deda, endet nëpër të ftohtin e acartë për të kërkuar shkëputjen e linjës pasi njerëzit që jetojnin në zona të thella malore prisnin me padurim rregullimin e saj në mënyrë që ti uronin njëri tjetrit Vitin e Ri.

Por Deda vdes i ngrirë në majë të shtyllës duke luftuar me të ftohtin dhe motin e keq.

E njëjta histori përsëritet vit pas viti, kryesisht në veri të vendi, ku shumë punonjës, kryesisht të OSHEE, përballen me vështirësi të mëdha.

Por ndryshe nga Deda, që filmohej nga kamerat e “Kinostudio Shqipëria e Re”, “Dedat” e vitit 2021 filmohen nga celularët e drejtuesve dhe shpërndahen në rrjetet sociale.

Rasti më i fundit vjen nga qarku i Kukësit është një ndër më të goditurit nga temperaturat e ulta dhe reshjet e dendura të dëborës. Çka ka bërë që në shumë zona të ketë probleme me energjinë elektrike.

OSHEE ka publikuar në Facebook një video ku shihet një prej punonjësve të saj, i cili para se të shkojë në zonën ku ka ndodhur avaria, duhet të çajë dëborën që arrin në disa dhjetëra centimetra.

Por përpos dëborës së dendur, punonjësi duhet të pozojë edhe për celularin e dikujt tjetër që ndjek vuajtjet e tij.