Deklarata e MPJ-së së Gjermanisë: S’ka ndryshim të kufijve me forcë në Ballkanin Perëndimor

Kjo deklaratë është thënë në prani të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq nga kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock. E njëjta është postuar në Twitterin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë sonte në mbrëmje.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha sot në Beograd se duhet kundërshtuar njëzëri ideja e ndryshimit të kufijve me forcë. Komentet ajo i bëri pas takimit me presidentin serb.

“Njerëzit në Ballkanin Perëndimor e dinë shumë mirë se çdo të thotë lufta. Prandaj pa mëdyshje, duhet kundërshtuar idenë se kufijtë mund të ndryshohen me forcë”, thuhet në një postim në llogarinë e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë në Twitter.

“Tani nevojitet progres në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe unitet në Bosnje dhe Hercegovinë”, thuhet në deklaratë.

Baerbock dje dhe sot qëndroi në Kosovë ku e ka siguruar kryeministrin Albin Kurti se Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në projekte zhvillimore edhe në të ardhmen.